O bijtë e Ademit! Nga mesi juaj gjithmonë do t’ju vijnë të dërguar që t’ju kumtojnë Shpalljet e Mia.... - Kur Allahu i Lartësuar e nxori Ademin (a.s) nga Xheneti, e vendosi në këtë tokë për ta sprovuar. Ai e njoftoi njeriun se do t’i dërgonte profetë dhe do t’i shpallte libra. Nëpërmjet shpalljeve, njerëzit lexojnë ajetet e Allahut dhe mësojnë ligjet e Tij. Profetët kanë ardhur me udhëzime të qarta dhe fe të drejtë. Ata i edukuan njerëzit me sinqeritetin dhe vlerat e larta. Kështu, njerëzit do të sprovohen në këtë botë për t’u dalluar qartë kush i respekton me sinqeritet profetët dhe shpalljet e Zotit dhe kush i shpërfill ato, duke u dhënë përparësi plotësimit të dëshirave dhe bukurive të kësaj bote. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon për mirësinë dhe gradën e lartë të atyre që iu përgjigjen profetëve dhe besojnë shpalljet e Allahut dhe, nga ana tjetër, humbjen dhe dëshpërimin e madh që i pret ata që veprojnë të kundërtën:
Kush bëhet i devotshëm dhe përmirësohet, nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengoset. - Të shpëtuarit dhe të lumturit janë përshkruar me këto cilësi: Ata ruhen nga çdo gjë të cilën e ka ndaluar Allahu i Lartësuar, si shirku, gjynahet e mëdha dhe gjynahet e vogla. Ata përmirësojnë punët e tyre, të dukshme apo të fshehta qofshin. Me fjalë të tjera, ata përpiqen me të gjitha forcat që veprat e tyre të jenë të mira.[1] Për këta, i Madhëruari thotë se ata nuk do të kenë frikë dhe as nuk do të brengosen. Ata nuk do të kenë frikë nga asgjë që frikëson të tjerët dhe nuk do të brengosen për çfarë ka kaluar. Kjo tregon se ata do të jenë në siguri dhe paqe të plotë, në gëzim dhe lumturi të përjetshme. Nëpërmjet këtyre cilësive, ata kanë arritur çdo të mirë dhe kanë shpëtuar nga çdo e keqe në dynja dhe ahiret. Duke përshkruar cilësitë e të ndëshkuarve, i Lartësuari thotë:
[1] Puna quhet e mirë nëse plotëson dy kushte: së pari, të jetë e sinqertë vetëm për kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij dhe, së dyti, të jetë në përputhje me mësimet e Allahut dhe Profetit të Tij.