Me urdhrin e Tij ia zbret melekët me shpallje kujt të dojë nga robërit e vet (duke u thënë:) Paralajmëroni se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj (vetëm) Mua të ma kini frikën. -
I Madhëruari i zbret melekët me Shpalljen e Tij. Allahu i Lartësuar e ka quajtur Shpalljen "Er-Ruh" (Shpirt), sepse ajo i jep jetë shpirtit të krijesave dhe i udhëzon në rrugën e lumturisë në të dyja jetët. Allahu i Lartësuar thotë: "...ia zbret melekët me Shpallje atij robi të Vet që Ai dëshiron..." Pra, Shpalljen e Tij Allahu i Lartësuar ia jep atij që Ai dëshiron. Ai e di shumë mirë se kush është më i përshtatshmi dhe më i miri për një përgjegjësi të tillë. Ai i di ata që janë të aftë që ta mbajnë peshën e Shpalljes. Po ta shikosh me kujdes, thelbi i të gjitha shpalljeve që Allahu i Lartësuar u ka dhënë të dërguarve të Tij është: "Njoftojini njerëzit se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Meje dhe vetëm Mua të më druheni!" Të gjitha shpalljet e Zotit janë sjellë që njerëzit ta njohin Allahun e Lartësuar ashtu sikurse është Ai në të vërtetë, të Plotë, Absolut, të Pakrahasueshëm dhe të Pashembullt; ta njohin Atë si Një të vetëm në të gjitha cilësitë madhështore që Ai ka. Këto janë cilësi të uluhije-s, cilësi që e bëjnë Allahun të meritueshëm që të adhurohet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq, duke e dashur me gjithë shpirt dhe duke iu përkushtuar përmes veprave që Ai i kërkon dhe i ka ligjëruar me Shpalljen e Tij. Këto cilësi madhështore të Allahut të Lartësuar, që tregojnë se është i vetmi që meriton adhurimin, janë pikërisht shkaku pse Allahu i Lartësuar ka shpallur librat e Tij dhe ka dërguar profetët e Tij. Ai i vendosi të gjitha ligjet (sherijatet) për të udhëzuar e mësuar njerëzit se si ta adhurojnë Atë. Allahu i mësoi se si ta përkryejnë adhurimin duke e njohur Atë përmes emrave dhe cilësive të Tij; i mësoi se si të nënshtrohen për të jetuar përmes Sheriatit të mrekullueshëm, që rregullon jetën dhe i jep lumturi njeriut në të dyja jetët. Pikërisht për të përhapur këtë ligj hyjnor, që përmban të tilla mesazhe madhështore e të mrekullueshme, Allahu i Lartësuar ka nxitur dhe ka ligjëruar luftën në rrugën e Tij. Ai ka premtuar shpërblim të madh për çdo përpjekje në luftën kundër atyre të cilët e kundërshtojnë të vërtetën dhe qëndrojnë si pengesë në përhapjen e kësaj drite, që i nxjerr njerëzit nga errësira për në dritën e besimit. Ndërsa armiqtë e së vërtetës e kundërshtojnë këtë të vërtetë dhe këtë dritë të Zotit dhe luftojnë kundër saj. Në Kur'an, Allahu i Lartësuar përmend shumë argumente dhe fakte që tregojnë vërtetësinë e asaj që Ai e solli përmes shpalljeve të Tij. Në ajetet në vijim, Allahu i Lartësuar tregon fakte dhe argumente të mrekullueshme, që tregojnë se Ai është Një dhe i vetmi që e meriton adhurimin dhe përkushtimin e krijesave.