Ata që nuk japin nga të mirat që u ka dhënë Allahu, të mos mendojnë se ajo është në dobi të tyre. –
Ata që tregohen koprracë me mirësitë që u ka falur Allahu, qoftshin ato pasuri, pushtet, famë, dituri etj., të mos mendojnë se, meqë po marrin këto mirësi nga Allahu, kjo është gjithmonë në të mirë të tyre. Allahu i Lartësuar u ka falur mirësi shumë njerëzve, duke u treguar bamirës i madh me ta, por Ai njëkohësisht i ka urdhëruar që të shpenzojnë prej këtyre të mirave, për të qenë në ndihmë të krijesave të tjera. Ai i ka urdhëruar që ata të tregohen bamirës vetëm me një pjesëz të mirësive të tyre, aq sa të mos dëmtohen ata vetë. Por nëse ata nuk shpenzojnë dhe tregohen koprracë, duke i privuar robërit e tjerë të Allahut të përfitojnë prej këtyre mirësive, le ta dinë se ky veprim është në dëm të tyre dhe nuk ua ruan aspak ato mirësi që të mos pakësohen. Koprracia është në dëm të fesë, besimit, dynjasë dhe të të gjitha çështjeve të tyre të tashme dhe të ardhme. Ajo, gjithashtu, nuk mund të mos ndëshkohet nga i Drejti dhe i Urti:
Jo, ajo (kopracia) është në dëm të tyre. Ajo (pasuria) me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre.” –
Kuptimi: Mirësitë që nuk i shfrytëzojnë për përmbushjen e detyrimeve, atyre do t'u mbështillen në qafë Ditën e Gjykimit. Ky do të jetë si ndëshkim për ta. Në një hadith të saktë thuhet: “Ditën e Gjykimit, koprracit do t'i shfaqet pasuria e tij si një gjarpër akra', që ka dy pulla në ballë, i cili do ta mbështjellë atë mes dy dhëmbëve të tij dhe do të thotë: “Unë jam pasuria jote, unë jam thesari yt!” Pastaj Profeti (a.s.) lexoi këtë ajet, si vërtetues të kësaj fjale.” Ata njerëz mendojnë se koprracia është në dobi të tyre, sepse kështu fitojnë pushtet dhe sukses, por ajo do të kthehet plotësisht në të kundërt të tyre. Pasuria që ata ruajnë me koprraci do të bëhet shkak i vuajtjes së tyre.
Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe Toka.... -
Allahu i Lartësuar është Pronari i pasurive dhe pushtetit absolut. Të gjitha pasuritë, atë ditë do t'i kthehen Pronarit të tyre të vetëm e të vërtetë, Allahut të Lartësuar. Ndërsa krijesat nuk do të kenë me vete as flori, as argjend, e as ndonjë pasuri tjetër, me të cilën do të mund të blejnë shpëtimin dhe lumturinë. Thotë i Lartësuari: “Ne do ta trashëgojmë tokën dhe ata që janë mbi të, ndërsa ju të gjithë do të ktheheni tek Ne.” [Merjem 40]. Vëreni me kujdes dy faktet që tregon Allahu i Lartësuar, për të cilët Ai i fton njerëzit të meditojnë dhe të mësojnë që të mos tregohen koprracë me mirësitë që u ka dhuruar Ai, por të jenë bujarë e dorëdhënës: Së pari, Allahu i Lartësuar na mëson se çdo mirësi që njeriu gëzon vjen prej bujarisë së Tij, dhe nuk është pronë e vërtetë e robit. Nëse nuk do të ishte bujaria e Allahut të Lartësuar, në dorën e robit nuk do të vinte asnjë mirësi. Kështu, kur ai tregohet koprrac me të mirat e dhuruara nga Allahu i Lartësuar, ai bëhet prej atyre që pengojnë dhe ndalojnë mirësitë e Allahut për të tjerët. Bamirësia e Allahut e bën të detyrueshme për robin që edhe ai të tregohet bamirës ndaj të tjerëve, sikurse thotë i Lartësuari në Kur’ân: “...tregohu bamirës, sikurse Allahu është treguar Bamirës ndaj teje.” [Kasas]. Njeriu që ndihet i sigurt se të mirat që gëzon janë thjesht dhuratë prej Allahut të Lartësuar, nuk mund të tregohet kurrë koprrac, sidomos me diçka që as nuk e dëmton e as nuk e pakëson pasurinë e tij. Përkundrazi, bujaria i sjell njeriut dobi të pallogaritshme qoftë për përmirësimin e zemrës së tij, qoftë për shtimin e pasurisë së tij. Ajo ia shton besimin dhe e ruan atë nga çdo e keqe dhe fatkeqësi. Së dyti, Allahu i Lartësuar thotë se pasuria që ka robi në zotërim do t’i kthehet Allahut të Lartësuar, Pronarit të tyre të vërtetë dhe të vetëm, që është trashëguesi i gjithçkaje. Atëherë, çfarë kuptimi ka koprracia me një pasuri që do të të ikë nga duart dhe do t’i shkojë dikujt tjetër? Allahu thotë edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme, që të nxit të jesh bamirës dhe të ruhesh nga koprracia:
Allahu e di mirë atë që bëni ju. -
Meqenëse Allahu di gjithçka që njerëzit bëjnë, Ai nuk do të lërë asnjë vepër të mirë pa e shpërblyer me bujarinë e Tij, dhe asnjë vepër të keqe pa e dënuar me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Atëherë, duke qenë se është kështu, çdokush që ka sadopak besim në zemër, nuk do t'ia lejonte vetes që të mos shpenzonte prej mirësive të dhuruara prej Bujarit e Bamirësit, sepse shpërblimi për këtë vepër është shumë i madh për t'u shpërfillur. Nga ana tjetër, një besimtar nuk do të kënaqej kurrë me koprracinë, sepse ndëshkimi i premtuar për të është shumë i ashpër për t’u lënë në harresë dhe për të qenë i pakujdesshëm.