How shall Allah guide a people who disbelieved after their belief and had witnessed that the Messenger is true and clear signs had come to them? And Allah does not guide the wrongdoing people. (Ali 'Imran [3] : 86)
Sherif Ahmeti:
E, si ta udhëzojë All-llahu një popull që pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë dhe pasi dëshmoi se i dërguari është i vërtetë, dhe pasi t’ju kenë ardhur atyre argumente të qarta? Alllahu nuk i mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqarë (Ali 'Imran [3] : 86)
1 Feti Mehdiu
Si do ta udhëzojë All-llahu një popull i cili bën mosbesim, pasi që ishte besimtar dhe e kanë dëshmuar se Profeti është i vërtetë, madje janë dhënë edhe argumente të qarta? All-llahu nuk përudh popullin mizor
2 Hassan Efendi Nahi
E si t’i udhëzojë Allahu në rrugë të drejtë njerëzit që u bënë mohues, pasi më parë patën besuar e dëshmuar se i Dërguari është i vërtetë dhe u kishin ardhur provat e qarta?! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë keqbërës.
3 Tafsir as-Saadi
E si ti udhëzojë Allahu ata që mohojnë pasi kanë besuar njëherë, kanë dëshmuar se Profeti është i vërtetë dhe u kanë ardhur Argumente të Qarta?! - Kjo është vërtet e pamundur. Allahu nuk do ta udhëzonte kurrë një popull me të tilla cilësi e vepra. Allahu i Lartësuar i përshkruan kështu cilësitë e të dëshpëruarve, të cilët nuk i kap mëshira dhe udhëzimi i Tij:
1. Ata mohojnë, pasi kanë besuar njëherë. Kështu, ata mohojnë duke parapëlqyer mohimin mbi besimin.
2. Ata kanë dëshmuar në fillim se Profeti është i vërtetë. Pra, ata mohojnë pasi kanë dëshmuar me dije dhe bindje se Profeti është vërtet prej Allahut.
3. Atyre u kanë ardhur njëherë argumente të qarta. Kështu, ata mohojnë pasi i kanë parë argumentet dhe mrekullitë e qarta me të cilat Allahu e pajisi Profetin e Tij.
Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull të padrejtë. - Këta e meritojnë të quhen “të padrejtë”, sepse padrejtësia e tyre është kulmore. Ata e mohojnë të vërtetën pasi e kanë njohur dhe besuar atë. Ata ndjekin rrugën e humbjes, duke qenë të bindur për kotësinë e saj. Kështu, ata tregohen të padrejtë, arrogantë dhe pasues të epsheve të tyre në përzgjedhjen që bëjnë. E si mund t’u jepet sukses të tillëve që të pasojnë udhën e drejtë?! Të vetmit për të cilët mund të shpresohet udhëzimi janë ata që nuk e njohin të vërtetën dhe përpiqen sinqerisht për ta gjetur atë. Pa dyshim që, të tillë njerëzve, Allahu i Lartësuar do t’ua lehtësojë rrugën e udhëzimit dhe do t’i ruajë nga çdo gjë që i pengon prej saj. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon rreth ndëshkimeve që i presin të padrejtët në këtë jetë dhe në jetën tjetër: