Por t’i këshillo, sepse këshilla u bën dobi besimtarëve! -
Këshilla e kujtimi është dy llojesh:
1. Kujtim për diçka që njeriu nuk e di nga ana fetare. Nëpërmjet natyrës së pastër dhe logjikës së papërlyer, njeriu e dëshmon, e do dhe e preferon të mirën. Kështu i ka gatuar Zoti natyrën dhe logjikën e pastër të njeriut: që ta duan e zgjedhin të mirën dhe ta urrejnë e largojnë të keqen. Edhe feja është në përputhje me këtë rregull. Çdo urdhër dhe ndalesë e saj është si një kujtim për natyrën dhe logjikën e pastër, për të pranuar të mirën, të këndshmen, të dobishmen dhe për të larguar të keqen, të dëmshmen dhe të pistën. Një kujtim i mirë është ai që sqaron mirë dobitë dhe mirësitë që gjenden në urdhrat e Zotit, si dhe dëmet dhe të këqijat që gjenden në të ndaluarat e Zotit.
2. Kujtim për ato gjëra që njihen prej besimtarëve, por për shkak të pakujdesisë dhe shpërqendrimit, ato janë harruar. Allahu i Lartësuar na porosit që të kujtojmë vazhdimisht, me qëllim që porositë e Tij të mësohen dhe nguliten mirë në zemrën tonë, që të kemi gjithnjë forcë, gjallëri dhe vullnet për të punuar dhe për të arritur shpërblimin. Nëpërmjet kujtimit, besimtari fiton mirësi dhe sevape të shumta dhe lartësohet në dynja dhe në ahiret. Kur besimtari ka imanin, frikërespektin e dashurinë për Zotin, ai gjithmonë kthehet i penduar dhe me dëshirë për t’iu nënshtruar sërish Zotit dhe për ta kënaqur Atë. Njeriut me këto cilësi gjithmonë i bën dobi kujtimi. Ndërsa në mungesë të këtyre cilësive, kujtimi nuk bën dobi ose dobia është e mangët, në varësi të gjendjes së cilësive. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Këshillo aty ku këshilla bën dobi! Do ta pranojë këshillën ai që ka devotshmëri. E do ta refuzojë atë ai që është shumë i keq, I cili do të hyjë në Zjarrin e madh. Aty ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.” [A’la 9 - 13]. Jobesimtarët janë si puna e tokës shkëmbore, së cilës nuk i vlen aspak uji që i hidhet. Këta lloj njerëzish, çfarëdo argumenti t’u sjellësh, nuk kanë për të besuar, derisa ta shohin ndëshkimin me sytë e tyre.