Pas kësaj, Allahu ia pranon pendimin atij që do. -
Allahu i Madhëruar pranoi pendimin e shumë prej atyre që shkuan tek Profeti dhe pranuan Islamin. Për këtë arsye Profeti urdhëroi që këtyre t’u ktheheshin pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre.
Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -
Falja e Tij është e gjerë dhe mëshira e Tij është gjithëpërfshirëse. Allahu ua fal të penduarve edhe gjynahet më të mëdha. Pa dyshim, është mëshira e Allahut që u mundëson atyre të pendohen dhe të binden. Me mëshirën e Tij, Ai i fal dhe mbulon krimet dhe gabimet e tyre dhe ua pranon pendimin. Askush nuk duhet të humbasë shpresën nga falja dhe mëshira e Zotit, edhe sikur të ketë bërë gjynahet më të mëdha.[1]
[1] Delegacioni i havazinasve. Te Profeti (s.a.u.s.) shkoi një delegacion nga Hauazini. Ata ishin 14 burra, të cilët kryesoheshin nga Zubejr Ibn Sardi. Mes tyre ishte edhe Ebu Burkani, xhaxhai i Profetit (s.a.u.s.) nga gjiri. Ata i kërkuan Profetit (s.a.u.s.) që t’u kthente atyre pa shpërblesë robërit dhe pasuritë e tyre të humbura në betejë. Ai (s.a.u.s.) u tha: “Sikurse e shihni, me mua janë këta njerëz, dhe ju e dini shumë mirë se fjala më e dashur për mua është ajo e sinqerta dhe e vërteta. Po ju pyes: Më të dashur për ju janë fëmijët dhe gratë tuaja apo pasuritë tuaja?” Ata thanë: “Ne nuk vëmë asgjë mbi familjet dhe pasardhësit tanë.” – “Atëherë, kur të fal namazin e sabahut, ngrihuni dhe thoni: ‘Ne po
ndërmjetësojmë me Profetin (s.a.u.s.) te besimtarët dhe me besimtarët te Profeti (s.a.u.s.), që të na i ktheni gratë dhe fëmijët tanë të marrë robër’.” E kështu, pasi fali sabahun, ata u ngritën dhe thanë ato fjalë. Pas kësaj, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Për sa u përket atyre që janë në dorën time dhe të fisit të Abdul Mutalibit, të gjitha janë tuajat. Ndërsa për të tjerat, do të pyes njerëzit. Muhaxhirët dhe ensarët thanë: “Çfarë është e jona, po ia lëmë në dorë Profetit (s.a.u.s.).” El Ekra Ibn Habisi tha: “Unë dhe fisi i Benu Temimit nuk i japim ata.” Ujejne Ibn Hisni gjithashtu tha: “Edhe unë e fisi i Fezarate nuk i kthejmë”. Edhe Abas Ibn Mirdasi tha: “Unë dhe Benu Sulejmët nuk i dorëzojmë”. Por fisi i Benu Sulejmit tha: “Çfarë është e jona është në dorë të Profetit (s.a.u.s.)”. Abas Ibn Mirdasi ua ktheu: “Më poshtëruat!” Këtu ndërhyn Profeti (s.a.u.s.) dhe thotë: “Këta njerëz erdhën si muslimanë. Fillimisht unë i prita ata që të vinin, duke i ruajtur robërit, pa i shpërndarë. Unë i vura të zgjedhin: ose të marrin njerëzit dhe pasardhësit e tyre ose të marrin pasuritë, por ata nuk vënë asgjë mbi gratë dhe fëmijët e tyre. Nëse dikush pranon me shpirtmirësi që t’ua kthejë gratë dhe fëmijët, le ta bëjë. Në të kundërt, nëse ndonjëri nuk heq dorë nga haku i tij, përsëri le t’ua kthejë atyre, sepse unë i premtoj atij që, për çdo hise do t’i jap 6 hise të tilla prej plaçkës së parë që Allahu i Lartësuar do të na e sjellë pa luftë.” Njerëzit thanë: “Ne po i dhurojmë me gjithë zemër për Profetin (s.a.u.s.).” Në këtë moment, Profeti tha: “Ne nuk mund të dallojmë kështu se kush është i kënaqur e kush jo, prandaj shkoni tani, dhe le të vijnë të parët tuaj për të raportuar tek unë.” Në këtë mënyrë, atyre ua kthyen mbrapsht gratë dhe fëmijët.” Askush nuk mbajti më prej atyre robërve, veç Ujejne Ibn Hisnit, i cili nuk pranoi që të kthente pas një plakë. Por më vonë, gjithsesi ai e ktheu. Profeti i veshi të gjithë robërit e luftës, një për një. Zadul Mead 3.